FILLON SEMINARI I PARË TRAJNIMI I TRAJNERËVE NË KUADRIN E ASOCIMIT DHE INTEGRIMIT TË SHQIPËRISË NË BE
Në kuadrin e Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, në datat 20-24 nëntor 2000, në Tiranë, u zhvillua seminari i parë për trajnimin e trajnuesve të Administratës Publike Shqiptare.
Në hyrje të seminarit u paraqit një historik i procesit të Integrimit Europian dhe Lektori i Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Paris, z.Richard Polacek, trajtoi pjesën finale të këtij procesi (vitet 1987-2000), ku shpjegoi funksionimin struktural të Bashkimit Europian.
Në seminar, u trajtuan tema të rëndësishme, si ato të të drejtave themelore, principet e përgjithshme të ligjit, instrumentet e legjislacionit në BE, proceset e vendimmarrjes, procedurat gjyqësore dhe bashkëpunimi ndërmjet gjykatave nazionale dhe Gjykatës Europiane. Një ndër temat interessante që u zhvilluan, ishte ajo e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Shteteve anëtare, e cila u mbajt nga z.Michael Stender, përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë z.Stender, paratiti një skicë të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, ku u prezantuan disa forma dhe mënyra për të mbështetur ndërtimin efikas të strukturave administrative, si një nga rrugët kryesore për të përmbushur kërkesat në BE.
Gjatë seminarit, i cili u vlerësua si frytdhënës nga pjesëmarrësit, pati disa sugjerime për të hyrë më shumë në detaje, lidhur me interpretimet juridike që lindin si pasojë e konfliktit ligjor, ndërmjet legjislacionit të BE-së dhe legjislacionit kombëtar.
Programi i Bashkimit Europian për Trajnimin e Trajnerëve të Administratës Publike, është një projekt i organizuar nga Instituti për Politikat Europiane në Berlin dhe Departamenti i Administratës Publike në Këshillin e Ministrave në Tiranë, në Kuadrin e Paktit të Stabilitetit.