KRIJIMI I INSTITUTIT TË TRAJNIMIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE DHE OBJEKTIVAT E TIJ
Ekspertiza e kryer në periudhën shkurt-qershor 1999 nga ekspertë të Institutit Europian të Administratës Publike, evidentoi gjendjen dhe nevojat për trajnim në Administratën Publike. Pas rekomandimit të tyre, në mënyrë të argumentuar për ngritjen e një institucioni të specializuar trajnimi, duke bërë konfigurimin e tij u sugjeruan gjithashtu drejtimet dhe përparësitë në fushën e trajnimit.
Në funksion të realizimit të veprimtarisë së tyre të ardhshme, punonjësit e Institutit kanë marrë pjesë në seminare dhe kurse të ndryshme trajnimi, brenda dhe jashtë vendit, ku janë trajtuar probleme të cilësisë së menaxhimit të administratës publike, të hartimit të curriculave mbi bazë kompetencash, të administrimit të burimeve njerëzore, rolit të zyrtarëve të lartë në këndvështrimin e ligjit për nëpunësit civil etj.
Në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike, Instituti studioi dhe analizoi në mënyrë të përgjithshme nevojat për trajnim dhe parashtroi drejtimet kryesore të programit të trajnimit për administratën tonë publike. Në këtë program përcaktohen gjithashtu edhe drejtimet ku duhet përqendruar veprimtaria trajnuese dhe kualifikimi i personelit të Institutit. Në mungesë të eksperiencës dhe për të siguruar orientime sa më të mira në këto përcaktime, instituti ka mbajtur lidhje konsultimi me Institutin Europian të Administratës Publike dhe këshilltarë të fushave përkatëse pranë Departamentit të Administratës Publike. Për të konkretizuar në mënyrë sa më të përshtatshme çështjet që lidhen me statusin, qëllimin dhe mënyrën e funksionimit të Institutit, organizimin dhe administrimin e tij, u hartua edhe rregullorja e Institutit.
Objektivi kryesor i Institutit për të mbështetur efektivisht zbatimin e reformës në Administratën Publiek, mban parasysh sidomos faktin, se një nga përbërësit më të rëndësishëm të kësaj reforme është administrimi i burimeve njerëzore, i cili në vetvete përfshin:
· Vënien në zbatim të ligjit për shërbimin civil;
· Fuqizimin e Departamentit të Administratës Publike;
· Mbështetje për krijimin e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike.
Arritja e këtij objektivi do të përmirësonte ndjeshëm shkathtësitë profesionale dhe kualifikimin, duke rritur në këtë mënyrë efikasitetin dhe eficiencën e shërbimit publik.
Trajnimi i konceptuar në këtë mënyrë do të synojë përshtatjen e kompetencave dhe kualifikimeve të punonjësve civilë ndaj ndryshimeve progresive të shërbimit civil, në mënyrë që ato të përmirësojnë performancën e nëpunësit civil.
Reformimi i administratës publike sigurisht që dikton kërkesa të reja për trajnimin që duhen mbështetur nga veprimtari të tilla trajnuese që jo vetëm aftësojnë punonjësit e strukturave të administratës publike, por edhe mundësojnë zbatimin sa më të mirë të ligjeve. Për këtë, punonjësit e adminisratës publike duhet të kenë njohuritë dhe shkathtësitë e duhura, në varësi të detyrave dhe funksioneve të ndryshme që ata kryejnë. Përpjekjet për rritjen e efektivitetit të trajnimit duhet të jenë vazhdimisht në asistencën, bashkëpunimin dhe këshillimin e Bordit Këshillimor, për të përcaktuar sa më mirë nevojat për trajnim dhe hartimin e programeve konkrete të trajnimit. Ky është një kusht paraprak për të patur një sistem të mirë trajnimi. Ai ka një rëndësi të dorës së parë për administratën publike shqiptare, në mënyrë që ajo të zhvillojë dhe të mbajë një shkallë të lartë kompetencash dhe aftësisht të punonjësve të saj.
Marrë nga fjala e Drejtorit të Institutit të Trajnimit për Administratën Publike, z.Kushtrim Pipa, në mbledhjen e oarë të bordit këshillimor, më 26 tetor 2001, Tiranë.