TRAJNIMI I TRAJNUESVE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE PËR ÇËSHTJET E INTEGRIMIT
Në kuadrin e Paktit të Stabilitetit, nën mbikëqyrjen e fondacionit gjerman Carl Duisberg Gesellschaft, Instituti i Politikave Europiane (Berlin) dhe Departamenti i Administratës Publike, filluan në nëntor të vitit 2000, “Programin e Trajnimit të Trajnuesve të Administratës Publike për Çështjet e Integrimit Europian”.
Objektivi kryesor i këtij bashkëpunimi ishte krijimi i një brezi të ri trajnuesish të administratës publike shqiptare me detyrë kryesore përgatitjen dhe përshtatjen e administratës me atmosferën komunitare europiane, në të cilën vendi ynë shpreson të aderojë së shpejti.
Në këtë frymë, u përcaktua dhe mënyra e organizimit të seminarëve të këtij programi, duke bërë në fillim një përmbledhje të historisë së integrimit europian, me motivet, objektivat dhe parimet e qeverisjes së strukturave të Bashkimit Europian, organeve dhe institucioneve dhe duke vazhduar me një analizë të detajuar të fushave të ndryshme të veprimtarisë komunitare europiane.
Faza e dytë e këtij programi trajnimi u konceptua në mënyrë të atillë që krahas njohurive teorike në fushën e integrimit europian, u ndërthur edhe pjesa praktike e metodologjisë dhe didaktikës së trajnimit për temat e integrimit.
Në fazën e tretë do t’i jepet përparëso anës metodike dhe didaktike të kandidatëve për trajnerë, duke mos lënë mënjanë aftësitë dhe njohuritë e fituara në seminaret e mëparshëm. Në këtë fazë drejtimi kryesor është përgatitja e pavarur e trajnerëve të ardhshëm nëpërmjet aktiviteteve të pavarura të trajnimit, ku trajnuesit do të testojnë aftësitë e tyre për të organizuar trajnime në të ardhmen.
Në fund të periudhës së stazhit, trajnerët e ardhshëm do të bëjnë një përmbledhje të të gjitha temave të trajtuara dhe pasi të kenë dhënë provimin përfundimtar rreth këtyre temave, do të marrin diplomat si trajnues të Administratës Publike për Çështjet e Integrimit Europian.