TAKIMI I 5-TË I KOMISIONIT TË PËRBASHKËT SHQIPËRI-BE

 

 

Në fjalën e tij ministri i Shtetit për Integrimin  Europian, zoti Paskal Milo theksoi se integrimi në BE është cilësuar si prioritet strategjik në programin e qeverisë shqiptare. Rritja e  nivelit të marrëdhënieve kontraktuale të Shqipërisë shihet si pjesë e rëndësishme përbërëse e përpjekjeve të gjithanshme për zhvillimin  demokratik, forcimin e mëtejshëm të shtetit ligjor dhe respektimin e parimeve mbi të cilat janë ngritur vlerat e shoqërisë europiane.

 

Faktor i rëndësishëm i stabilitetit politik, theksoi z.Milo është progresi i arritur në reformat e ndërmarra nga qeveria jonë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, rendit publik dhe reformës institucionale. Materialet e përgatitura me shkrim nga administrata shqiptare dhe kontributet e drejtpërdrejta në ditët e takimit tregojnë për seriozitetin me të cilin e ka marrë pala shqiptare këtë proces.

 

Më pas zoti Milo bëri një ekspoze duke paraqitur fakte konkrete të arritjeve të qeverisë shqiptare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, reformimit dhe riorganizimit të policisë së shtetit, reformave ligkore dhe gjyqësore, ecurisë së ekonomisë dhe bujqësisë gjatë periudhës qershor 2000-nëntor 2001, privatizimit të sektorëve strategjikë, liberalizimit të tregtisë, projekteve të infrastrukturës, përafrimit të legjislacionit shqiptar me anë të BE-së, statistikave, reformës së administratës publike dhe arsimit.  Asistenca që Bashkimi Europian i ka ofruar Shqipërisë, theksoi z.Milo, ka dhënë një kontribut shumë të madh në arritjen e objektivave dhe realizimin e reformave sektoriale nëpërmjet financimit të projekteve prioritare. Po kështu vlerësojmë si të një rëndësie të veçantë programin e ri të asistencës, CARDS, si një element shumë i rëndësishëm i procesit të stabilizim-asocimit. Duke përfunduar ministri i Shtetit për Integrimin Europian tha se:

 

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për procesin në të cilin kemi hyrë dhe vështirësitë që do të na duhet të përballojmë sidomos në zbatimin e tij. Jemi të ndërgjegjshëm për kohën që kërkon ky proces dhe besojmë e jemi të bindur, se do të kemi angazhimin e mjaftueshëm për t’i shkruar atij deri në fund me dinjitet”.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian z.Reinhard Priebe vlerësoi pozitivisht hapat e ndërmarra nga Shqipëria në periudhën që nga qershori 2000. Ai theksoi se “Komiteti ka qenë një kanal shumë efektiv komunikimi me Shqipërinë qysh nga viti 1992. Suksesi në fushën e reformave ka krijuar premisat që  Komisioni Europian t’i paraqesë Këshillit të Ministrave projektmandatin për hapjen e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asocimit të Shqipërisë me BE-në brenda fundit të vitit 2001.

 

Z.Priebe theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes është njëra anë, ndërkohë që zbatimi i detyrimeve, që dalin nga kjo marrëveshje do të jetë kusht për çdo avancim të mëtejshëm në marrëdhëniet tona kontraktuale.

 

“Prandaj duhet të nënshkruani vetëm ato detyrime të cilat jeni në gjendje t’i plotësoni, negociatat do të përfundojnë vetëm kur të plotësohen të gjitha kushtet”. Prandaj duhet punuar shumë që detyrimet e marrëveshjes të zbatohen sipas afateve të caktuara, përfundoi z.Priebe.