REFORMA STRUKTURORE – IDE PËR ZHVILLIMIN E SAJ
Administrata publike përcaktohet në dy kuptime kryesore:
· Në kuptimin formal organik – si tërësia e autoriteteve publike që kryejnë administrimin publik.
· Në kuptimin materialo-funksional – si tërësia e veprimtarisë së administratës publike, nëpërmjet të cilës, zbatohet ligji, qoftë nëpërmjet nxjerrjes së normave dytësore, qoftë nëpërmjet organizimit të kryerjes së shërbimeve publike, apo sipas rastit kryerjes direkte të këtyre shërbimeve.
Dy modelet më të njohura, mbi të cilat janë bazuar pjesa më e madhe e sistemeve më moderne të administratës publike europiane, janë ai francez (modeli i Napoleonit) dhe Prusian (modeli Veberist) i fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të atij të XIX. Këto dy sisteme, kanë një sërë ndryshimesh dhe elementesh të përbashkëta.
Sot flitet për një “hapësirë administrative europiane”, duke iu referuar këtij nocioni jo si një shumatore e sistemeve administrative të vendeve anëtare por si një sërë standardesh dhe parimesh të përbashkëta të zbatueshme në gjithë sistemet administrative europiane. Në kuadrin e integrimit në Bashkimin Europian ky model edhe pse jo unitar paraqitet si shembulli më i gjetur për rastin e Shqipërisë.
Gjatë një takimi në Londër, në maj të vitit 1998, ministrat e vendeve komunitare, përcaktuan fushat e ndërhyrjes për modernizimin e administratës publike:
· Rregullim më të mirë (nëpërmjet ligjeve dhe normave më të mira)
· Përmirësim të standardeve të shërbimeve publike për shtetasit
· Përdorimi i plotë i sistemeve elektronike
· Hyrjen e sistemit të konkurrencës në kryerjen e shërbimeve
· Kualifikimi i funksionarëve publikë
Kjo nismë ka një vlerë strategjike. Ajo vë përballë njera tjetrës administrata të vendeve të ndryshme dhe favorizon individualizimin e zgjidhjeve praktike për të hedhur bazat e administratës së ardhshme europiane. Kjo nismë na shërben për të krijuar një administratë publike mbi bazën e disa standardeve të cilat sot apo nesër duhet t’i arrijmë.
Dy boshtet kryesore të procesit të modernizimit në bazë të këtyre parimeve duket se janë:
Roli i “pushtetit publik” dhe “marrëdhëniet” e tij, me komunitetin.
Roli i “Pushtetit publik” nënkupton : kalimin nga një shtet që kryen shërbime në një shtet që rregullon dhe garanton kryerjen e shërbimeve. Futjen e logjikës së menaxhimit ekonomik kundër logjikës së burokratizimit të strukturave të tij, duke patur si synim kënaqjen e kërkesës shoqërore.
Rimodelimi i rolit të pushtetit publik, realizohet nëpërmjet pesë fushave të përmendura më sipër.
Roli i pushtetit
Norma dhe ligje më të mira, që është baza e administratës publike, e cila nënkupton institucione publike më të “thjeshta”, me kapacitet më të mirë, për të garantuar respektimin e ligjeve dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Marrëdhëniet me komunitetin nënkupton orientimin e përfituesve të shërbimeve dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Orientimi realizohet nëpërmjet liberalizimit të shërbimeve, që mund të ofrohen në sistemin e konkurrencës dhe garantimin e standardeve të shërbimeve për shtetasit. Përfshirja në vendimmarrje arrihet nëpërmjet analizimit efektiv të nevojave të komunitetit, kërkesës shoqërore dhe duke krijuar kapacitete të përshtatshme dëgjimi.
Kushti për të patur një ndryshim real është përshtatja e strukturave institucionale në rolin e ri të shtetit.