REFORMA STRUKTURORE – IDE PËR ZHVILLIMIN E SAJ

 

Ku jemi dhe çfarë kemi bërë?

 

Administrata publike shqiptare, megjithëse në pamje të parë ka zvogëluar funksionet e saj në krahasim me ato të një shteti të centralizuar, gjatë këtyre viteve të fundit ka marrë funksione të reja. Kjo është parë në reformimin e ekonomisë së tregut, qoftë në vazhdën e tendencës botërore për rritjen e funksioneve të shtetit. Shumë vite më parë, kur shëndeti publik, në një nga vendet tona fqinje bënte pjesë në sektorin e rendit publik dhe mbulohej nga Ministria e Brendshme, askushnuk mund të imagjinonte luftën e yjeve, fluturimet në hapësirë, operacionet plastike, transplantimin e organeve apo klonimin. Sot këto fenomene janë bërë realitet dhe si të tilla duhen rregulluar.

 

Për këtë arsye në këto vitet e fundit pothuajse në gjithë botën janë nxjerrë rregulla për disiplinimin e këtyre marrëdhënieve sociale. Janë krijuar struktura të reja kontrolli dhe garancie, ndërkohë që ëndrra e vjetër për një administratë të thjeshtë dhe elastike duket sikur largohet gjithnjë e më tepër.

 

Ngrihen institucione tp reja ndërsa harrohen të shkrihen ato të vjetrat, thotë këtë të vërtetë një autor italian.

 

Hapi i parë në drejtim të reformës strukturore ishte rishikimi i funksioneve të Këshillit të Ministrave dhe ministrive kryesore të linjës në fushën e veprimit të së cilave, përgatiteshin reforma të rëndësishme. Përkatësisht reforma e decentralizimit, reforma në sistemin e drejtësisë, reforma në menaxhimin e shpenzimeve publike, sistemit doganor dhe atij fiskal.

 

Një hap përpara në këtë drejtim është edhe krijimi i pozicionit të sekretarit të përgjithshëm në ministri dhe institucionet e tjera të shërbimit civil. Ai ka për të, detyrë të fillojë të hartojë propozimet e nevojshme për rishikimin e funksioneve dhe misionit të institucionit. Gjithashtu, ky hap u shoqërua me hartimin e një projektstrukture tip e cila iu dërgua për mendim, të gjitha ministrive të linjës. Qëllimi i kësaj strukture padyshim që nuk është “veshja me të njëjtën rrobë”e të gjitha ministrive. Kjo strukturë parashikon të nxisë dhe të sensibilizojë për kryerjen e një analize të misionit të ministrive, funksioneve të tyre, shërbimeve që kryejnë ndaj publikut, llogaritjen e kostos së këtyre shërbimeve dhe kostos së çdo produkti apo veprimtarie që kryejnë, për të nxjerrë domosdoshmërinë e vazhdimit të ushtrimit të tyre, apo studimin e mundësisë së koncesionimit të tyre.

 

Çfarë duhet të bëjmë?

 

1.     Ripërcaktimi i rolit dhe misionit të çdo institucioni.

2.     Ndarja e strukturave politikëbërëse nga ato zbatuese, të cilat kryerjenë shërbime.

3.     Lehtësimi i strukturave të institucioneve me një staf më të vogël në numër dhe më profesional në përputhje me misionin e tyre.

4.     Ndarja e detyrave dhe qartësimi i rolit të çdo institucioni dhe njësie të tij.

5.     Forcimi i kapaciteteve politikëbërëse dhe ligjebërëse, duke filluar me aftësitë parashikuese, deri tek llogaritja e ndikimit të zbatimit të një politike.

6.     Forcimi i koordinimit të brendshëm dhe atij institucional, për të aftësuar institucionet shtetërore të bëjnë politika globale në më shumë se një fushë.

7.     Futja e konceptit të ekonomicitetit në çdo veprimtari të administratës publike, duke përcaktuar mënyrat e matjes së kostos së rezultatit/produktit të prodhuar nga çdo njësi.

8.     Privatizimi i aktiviteteve prodhuese.

9.     Koncesionimi i shërbimeve publike, që kryhen më mirë në kushtet e ekonomisë së tregut.

10. Nxitja e konkurrencës shtet-privat por dhe asaj shtet-shtet, nëpërmjet politikave.

11. Drejtimi i shpenzimeve buxhetore për realizimin e politikave qeveritare sipas fushave prioritare.

12. Monitorimi i zbatimit të politikave dhe zbatimit të ligjit.